Buletin Informativ

EB Invest ju paraqet buletinin më të ri informativ rreth disa shtesave dhe ndryshimeve më të fundit ligjore, sa i takon: 1. Ndryshimeve në ligjin dhe Udhëzimet “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, të ndryshuar. 2. Ndryshimeve në Ligjin dhe Udhëzimin “Për Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar”.

1.      Ndryshime në ligjin dhe Udhëzimet “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, të ndryshuar.

a.       Është zgjatur periudha e përfitimit të statusit special për strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje” deri në dhjetor 2026. Gjithashtu, afati maksimal për nisjen e aktivitetit ekonomik pas marrjes së statusit special është shtyrë në 5 vjet.

b.      Përkufizime të qarta të termave “honorar”, “dividend” dhe “dividend i ndërmjetëm”.

Po ashtu ky udhëzim ka sjell dhe ndryshime në disa nene të tatimit në burim/të ardhurat personale, që paraqiten si më poshtë:

Ndryshimet në Tatimin në Burim

  • Tatimi për jorezidentët: Hiqet parimi i përgjithshëm i tatimit në burim në mungesë të klauzolave specifike në marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë.
  • Tatimi për agjencitë e huaja të punësimit: Nëse agjencia nuk ka seli të përhershme në vend, 20% e shumës totale të kostos së punës nuk do të tatohet në Shqipëri. Tatimi do të zbatohet vetëm në shtetin ku është regjistruar agjencia, sipas marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë.
  • Detyrimi për certifikatën e rezidencës: Agjentët tatimorë duhet të kërkojnë dhe të ruajnë certifikatën e rezidencës së përfituesit të të ardhurave vetëm kur norma tatimore e aplikuar ndryshon nga normat standarde të ligjit për tatimin mbi të ardhurat.

Ndryshimet në Tatimin mbi të Ardhurat Personale

  • Tatimi për të vetëpunësuarit: Të ardhurat bruto të arkëtuara zëvendësohen me të ardhurat e fituara (përfshirë të faturuarat) si bazë për llogaritjen e tatimit.
  • Normat e tatimit mbi të ardhurat: Tatimi për të vetëpunësuarit do të llogaritet sipas normave të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, duke eliminuar referencën ndaj tatimit mbi pagën.
  • Deklarimi tatimor: Të vetëpunësuarit duhet të plotësojnë rubrikën e të ardhurave nga punësimi, jo atë të të ardhurave nga biznesi.
  • Tatimi mbi qiranë: Personat fizikë që ushtrojnë aktivitet në pronën e tyre ose të një familjari nuk i nënshtrohen tatimit mbi qiranë, me kusht që të jenë në të njëjtën certifikatë familjare.
  • Përjashtime nga tatimi mbi të ardhurat e korporatave: Shoqëritë e thjeshta dhe disa entitete publike (p.sh., Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare) nuk janë të detyruara të dorëzojnë deklaratën tatimore dhe pasqyrat financiare. Entitetet e përjashtuara duhet të provojnë këtë përjashtim me dokumentacion nga Drejtoria Rajonale Tatimore.
  • Lehtësim për mikronjësitë ekonomike: Subjektet me qarkullim vjetor nën 5 milionë lekë do të mbajnë një dokumentacion të thjeshtuar sipas Standardit 15 për kontabilitetin.
  • Metoda e përllogaritjes së tatimit mbi fitimin: Vlerësimi i detyrimit për pagesën e kësteve mujore do të bëhet duke përdorur metodën proporcionale të qarkullimit vjetor.

 

2.     Ndryshime në Ligjin dhe Udhëzimin “Për Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar”.

Eksporti i shërbimeve: Marrësi (person i tatueshëm i huaj) nuk është i detyruar të jetë i regjistruar për TVSH për t'u cilësuar si i tillë. Në vend të kësaj, ai duhet vetëm të provojë me një vërtetim nga autoritetet tatimore të vendit të tij se është një biznes i regjistruar dhe ushtron veprimtari ekonomike.

Furnizimi i mallrave dhe shërbimeve për projekte të financuara nga donacione ose grante trajtohet si eksport dhe TVSH do jetë 0%. Për këtë, projektet duhet të regjistrohen në Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, duke marrë një Kod Unik të Identifikimit të Projektit, i cili përdoret për faturat dhe dokumentacionin tatimor.

Procedurat e regjistrimit janë thjeshtuar:

  • Agjencia shqyrton aplikimet brenda 10 ditëve pune dhe njofton për mangësitë brenda 5 ditëve.
  • Pas regjistrimit, certifikata dërgohet në Tatime dhe Dogana për trajtim fiskal të projektit.
  • Projektet regjistrohen edhe në Drejtorinë Rajonale Tatimore (DRT), e cila lëshon certifikatën për furnizim të barasvlershëm me eksportet.

Për kontraktorët:

  • Nëse nuk janë të regjistruar për TVSH, pajisen me certifikatë për blerje pa TVSH.
  • Nëse janë të regjistruar, përfitojnë zbritje dhe rimbursim të TVSH-së.

Importet për projektet e financuara nga donatorët përjashtohen nga TVSH pas autorizimit nga Doganat, duke paraqitur certifikatat e nevojshme.

Monitorimi i projekteve forcohet, duke kërkuar raportime të detajuara nga Tatimet dhe Doganat për të garantuar që TVSH 0% zbatohet vetëm për furnizimet e ligjshme.

TVSH-ja e paguar para regjistrimit mund të rimbursohet brenda 30 ditëve, pa analizë risku apo kontroll tatimor paraprak.

Së fundmi, Neni 63/2 mbi përjashtimin nga TVSH për projektet e financuara nga BE shfuqizohet.

 

Për më shumë informacione mos hezitoni të na kontaktoni në: info@ebinvest.al


Published by

EB Invest on March 14, 2025

Content

Share this information.

Published by

EB Invest on March 14, 2025

Share

Share this information.

Address

Ismail Qemali Road, Entrance No. 2, Building 7/1
Tirane, Albania

Show in maps

Contact

Get in touch directly

Contact us